AlbanianSport.com 13.01.2017 17:05
ASNN – Padyshim që mbetet sëmundja e pashërueshme e këtij gjysmëshekulli të fundit në sport, veçanërisht në atë disiplina ku sforcimi fizik është më intensiv. Natyrisht, ky është dopngu dhe është peshëngritja kineze, një nga më të spikaturat e kësaj disipline, ajo që rrezikon të pezullohet për një vit nga veprimtaritë ndërkombëtare. Tre sportiste të vendit aziatik, ishin pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të vitit 2008, që u mbajtën në Kinë, ku fituan medalje të arta.
Por ato rezultuan pozitive pas rikryerjes së analizave të antidopingut. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) bëri të ditur se peshëngritëset të cilat kanë rezultuar me doping janë Çao Lei, në peshën 75 kg, Chen Xiexia, në kategorinë 48 kg dhe Liu Chunhong, në peshën deri në 69 kg. Në të njëtjën kohë, IOC bëri të ditur se këtyre peshëngritëseve u janë hequr medaljet e arta të fituara në Pekin.
Dhe këto medalje pritet t’u shkojnë sportisteve nga Tajvani, Rusia dhe Kazakistani. Por jo vetëm kaq. IOC mori vendimin për të skualifikuar edhe 5 atletë të tjerë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Pekinit dhe ato të Londrës dhe këtu përfshihet edhe bjellorusja Nadzheja Ostapçuk, fituese e medaljes së bronztë në hedhjen e gjyles në Olimpiadën e vitit 2008.
Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes vitin e kaluar bëri të ditur se vendet me 3 ose më shumë raste dopingu në Pekin dhe Londër ka shumë të ngjarë që të pezullohen me një vit nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare.Nga rikryerja e testeve antidoping në Lojërat e Pekinit dhe Londrës deri tani kanë rezultuar pozitivë mbi 100 sportistë, ku Rusia është ajo që dominon.
Disiplinat sportive më të prekura nga ky fenomen kanë qenë peshëngritja, atletika, çiklizmi, noti dhe mundja.