AlbanianSport.com 05.12.2014 16:05
ASNN – Romela Begaj ka rezultuar pozitiv në testet antidoping të kryera nga Agjencia botërore antidoping, gjatë garave të Botërorit të Peshëngritjes që u zhvillua në muajin nëntor në Kazakistan. Begaj ka kërkuar të bëhet testi B, për të vërtetuar se ajo nuk ka përdorur substanca të ndaluara. Deri në atë kohë, sipas Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, çdo gjë do të mbetet pezull.
Romela Begaj ka rezultuar pozitiv në testin antidoping, të bërë pas garës në kampionatin botëror që u zhvillua në Almati të Kazakistanit, në muajin nëntor. Peshëngritësja shqiptare ka rezultuar pozitiv ndaj substancës stanozolol, e cila ndodhet në listën e substancave të ndaluara për përdorim nga të gjithë sportistët, të publikuar nga WADA, agjencia ndërkombëtare antidoping.
Begaj e ka mohuar faktin e përdorimit të substancës stanozolol dhe ka kërkuar që të bëhet testi B për të vërtetuar pafajësinë e saj. Romela Begaj, doli kampione e botës në stilin e shkëputjes, në konkurrimin në peshën 63 kg, gjatë Botërorit që u zhvillua në Almati të Kazakistanit. Për herë të parë një sportiste femër në Shqipëri arrin të marrë një titull kaq të lartë në sport.
Në rast të daljes sërish pozitiv, edhe pas testit B, peshëngritëses sonë i hiqet medalja e fituar në botëror dhe pezullohet për 2 vjet nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare. Sipas Federatës Botërore të peshëngritjes, deri në daljen e rezultatit të testit B, nuk do të ketë asnjë koment. Gjithashtu edhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka dashur të prononcohet zyrtarisht deri në daljen e rezultatit të testit tjetër.