Gjergj Vyshka 16.04.2016 16:15
Dëmtimi në gju i Erkand Qerimajt, çka u bë më i theksuar gjatë garës së Evropianit në peshën 77 kg, të paktën edhe sipas trajnerit Zef Kovaçi, ka ndodhur që më 20 mars. “Gjatë garës së kontrollit, – thotë Kovaçi, – ia dha gjuri. Ishte një dëmtim që nuk shqetësonte shumë, sepse një ditë ta jepte, ditë të tjera jo.”
“E në stërvitje në Norvegji u përsëri, gati u këput në tokë, – ka vijuar trajneri shkodran. -Bëmë rezonancën magnetike dhe mjekët atje na këshilluan që të mos e fusim në garë sepse përtej dëmtimit mund të ngelte dhe invalid. Gjithsesi u konsultuam me një doktor italian, i cili na tha që nëse do të ishte futbollist me një gjilpërë do të ishte bërë për lojë.”
“Kjo pasi pa dhe rezonancën magnetike, – ka sqaruar Kovaçi. – Por meqë ishte peshëngritës duhet të shtrëngonte dhëmbët për ta çuar deri në fund. Edhe nxehje me 120 kg përsëri gjërat nuk ishin mirë. E kështu ndodhi dhe në shkëputje derisa vendosëm ta linim përfundimisht garën.”
“Sigurisht që na vjen keq, por dëmtimit nuk ke se çfarë i bën. Në sport ndodhin”, – ka përfunduar trajneri i Erkand Qerimaj, Zef Kovaçi.