AlbanianSport.com 11.12.2014 15:15
ASNN – Peshëngritja shqiptare në veçanti, por edhe sporti shqiptar në përgjithësi ka marrë një goditje të rëndë pasi dy sportistë të tjerë, kampioni i botës, Daniel Godelli, dhe kampioni i Evropës për Nën-23-vjeçarët, Hysen Pulaku, kanë rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara. Përveç kësaj, edhe Shqipëria si vend rrezikon pezullimin pa afat nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare. Ndërkaq, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka reaguar me një deklaratë të shkurtër ku, duke shprehur shqetësimin për këtë lajm, por edhe mbështetjen për sportistët e saj, siguron se, pas daljes së analizave B të këtyre sportistëve, do të bëjë transparencën, hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësive. Ja deklarata e plotë e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes:
DEKLARATË
Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) shpreh shqetësimin e madh në lidhje me lajmin e përfshirjes edhe të dy peshëngritësve të tjerë të Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes Shqiptare (pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, në Almati, Kazakistan, 04-20.11.2014), në listën e të dyshuarve për doping.
FSHP shpreh mbështetjen për çdo peshëngritës të ekipit kombëtar për punën dhe angazhimin e tyre me të cilat ndër vite i kanë dhenë shumë medalje Shqipërisë.
FSHP shpreh angazhimin se pas daljes përfundimtare të rezultatit të analizave të Testit B të sportistëve të dyshuar, do të bëj të mundur transparencën, hetimin dhe daljen e përgjegjësive duke filluar nga vetë FSHP.
Komiteti Drejtues i i FSHP