AlbanianSport.com 09.04.2015 15:25
ASNN – Shqiponja Brahja do të jetë përfaqësuesja e vetme e Shqipërisë në garat e kampionatit evropian të peshëngritjes për të rritur që do të zhvillohet në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, gjatë ditëve të ardhshme. Pas dënimit të 3 shtangistëve tanë për përdorim dopingu, konkurrentja e vetme që do të mbajë ngjyrat kuqezi në këtë aktivitet sportiv është Shqiponja Brahja.
Shqipëria, si asnjëherë tjetër, do të konkurrojë me një sportiste në kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rritur që do të zhvillohet në Tbilis të Gjeorgjisë. Pas dënimit të 3 shtangistëve tanë, Begaj, Godelli dhe Pulaku për përdorim dopingu, dhe tërheqjes së Erkand Qerimajt për arsye dëmtimi, Shqiponja Brahja është e vetmja që do të përfaqësojë ngjyrat kuqezi në garat e këtij evropiani. Brahja do të konkurrojë në peshën 48 kg në baterinë A ku është edhe pretendente për medalje.
Duket se për të kundërshtarja më e fortë është peshëngritësja italiane. Shqiponja Brahja do të ngjitet në pedanë për të nisur konkurrimin në datën 15 prill. Ndërkohë që peshëngritësja shqiptare ka deklaruar se i ka kryer edhe testet antidoping përpara nisjes për në Evropian.