Gjergj Vyshka 20.12.2014 12:05
Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj, e cila fitoi titullin kampion bote në stilin e shkëputjes në Kazakistan ka rezultuar pozitive edhe në testin B. Edhe në testin e dytë antidoping 28-vjeçarja rezulton se ka përdorur substancën e ndaluar, stanozonol. Romela Begaj rrezikon një pezullim 2-vjeçar nga çdo aktivitet ndërkombëtar.
Nëse edhe Godelli me Pulakun do të rezultojnë pozitivë në analizën B, pasi në të parën janë gjetur me substancën e ndaluar stanozolol, atëherë Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon një pezullim të gjatë nga çdo aktivitet ndërkombëtar.
Testi B u krye në laboratorin e Këlnit, në Gjermani, një ndër 11 laboratorët e licencuar nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut. WADA ka konfirmuar se “testi B” për Daniel Godellin do të bëhet më 15 janar, ndërsa për Hysen Pulakun, më 11 janar. Sipas të gjitha gjasave, duke u nisur edhe nga analiza e kreut të Anti-Dopingut në Shqipëri, Mel Ostreni, edhe Daniel Godelli me Hysen Pulakun rrezikojnë që të jenë pozitive edhe në testin B.
Pasi sipas Ostrenit asnjëherë testi B nuk e ka rrëzuar testin A. Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka njoftuar se në përfundim të gjithë analizave të sportistëve do të dalë me një qëndrim duke nisur edhe një analizë të gjerë. Fillimisht presidenti Elez Gjoza akuzoi Luan Shabanin për dopingun, por si për ironi të fatit, Romela Begaj në analizat që ka bërë në testin B në Gjermani është mbrojtur nga një mjek nga Greqia.