AlbanianSport.com 30.03.2015 19:20
ASNN – Pasi rezultuan pozitiv për përdorimin e substancës së ndaluar “stanozolol” gjatë Botërorit të vitit të shkuar, dy peshëngritësit shqiptarë, Romela Begaj dhe Daniel Godelli, kanë dalë në fundjavëpara një paneli dëgjimor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, për të prezantuar çështjen e tyre. Vendimi i këtij paneli dëgjimor të Federatës Botërore të Peshëngritjes bëhet i ditur pas dy javësh.
Përgjatë dy ditëve të fundjavës, dy peshëngritësit shqiptarë, Romela Begaj dhe Daniel Godelli, kanë dalë para një paneli dëgjimor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, për të prezantuar çështjen e tyre përsa i përket përdorimit të substancave të ndaluara. Sipas burimeve pranë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, si Begaj, ashtu edhe Godelli, rezultuan pozitiv për përdorimin e substancës së ndaluar “stanozolol” gjatë Botërorit të vitit të shkuar, dhe kjo u konfirmua edhe nga testet B që u kryen disa javë më pas.
Megjithatë, të dy sportistët, të mbështetur nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes kanë këmbëngulur në pafajësinë e tyre, duke cituar edhe faktin se mund të jenë dëmtuar qëllimisht nga palë të treta gjatë fazës stërvitore të zhvilluar në Greqi. Begaj ka dalë para këtij paneli të shtunën, ndërsa Godelli të dielën, ndërsa argumenti kryesor i tyre ka qenë një karrierë e deritanishme suksesshme e panjollosur më parë nga dopingu si dhe mundësia e sabotimit gjatë fazës stërvitore.
Megjithatë, duke patur parasysh rezultimin pozitiv si në testin A, ashtu edhe në testin B, si për Begajn, ashtu edhe për Godellin, shpresa më e madhe është për një dënim të reduktuar, sesa për pafajësi. Vendimi i këtij paneli dëgjimor të Federatës Botërore të Peshëngritjes bëhet i ditur pas dy javësh.