AlbanianSport.com 01.11.2016 08:50
ASNN – Trajneri i Shtërmenit, Leonard Toska: “Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka harruar ekipin tonë dhe nuk na ka ndihmuar. Falënderoj Bashkinë e Cërrikut dhe kryetarin e saj Altin Toska dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për përkrahjen.” Shtërmeni i peshëngritjes, edhe pse tashmë veprimtaritë kombëtare të vitit 2016 kanë përfunduar, është duke u përgatitur me dy seanca stërvitore në ditë nën drejtimin e trajnerit Leonard Toska.
Por pika më nevralgjike e këtij momenti për peshëngritjen shqiptare janë zgjedhjet për president dhe anëtarë të kryesisë, të cilat do të zhvillohen më 12 nëntor në Vlorë. Dhe trajneri i Shtërmenit, Leonard Toska, do të marrë pjesë në këto zgjedhje si delegat i klubit të tij, ashtu sikurse ka qenë edhe para katër vjetësh, ndërsa më 16 nëntor 2012 në ambientet e hotel “Tirana-International”, Elez Gjoza, që është aktualisht presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, u zgjodh si i tillë.
E Toska, ashtu sikurse të gjithë përfaqësuesit e tjerë të klubeve anëtare të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, do të votojë një nga tre kandidaturat për president. Deri më tani në garë janë Elez Gjoza, që është aktualisht në krye të peshëngritjes shqiptare, Muharrem Berisha dhe Theodhori Masllavica. E Toska, si gjithnjë i pastër dhe i qartë për gjithçka që thotë, për gazetat sportive të ditës, e deklaron që tani votën e tij për presidentin e ri të peshëngritje shqiptare.
“Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka harruar ekipin e Shtërmenit dhe nuk na ka ndihmuar fare, – ka thënë ai. – Ndaj unë kërkoj rifreskimin e saj që nga kreu. Më 12 nëntor në Vlorë zhvillohen zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës e siç dihet në garë janë tre kandidatura; Elez Gjoza, Muharrem Berisha dhe Theodhori Masllavica. Të fitojë më i miri, kështu thuhet gjithnjë para çdo gare. Dhe më i miri është Theodhori Masllavica.”
“Klubi i Shtërmenit do të votojë për të, ndërsa ky i fundit për mua do të jetë fituesi dhe presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Them kështu pasi Masllavica e meriton këtë post dhe ne si ekip na ka ndihmuar gjithnjë. Ndaj vota ime shkon për këtë kandidat, që e do sportin e peshëngritjes”, – ka përfunduar trajneri i Shtërmenit në peshëngritje, Leonard Toska.