Gjergj Vyshka 06.02.2015 08:25
Peshëngritja shqiptare edhe për shkak të rasteve të dopingut duket se është mbërthyer nga një kaos total. Pas dorëheqjes së Sekretarit të Përgjithshëm Muharrem Berisha, por dhe pas dorëheqjes së dy anëtarëve të kryesisë, Theodhoraq Masllavica dhe Ndriçim Pulaku, tashmë ka ikur dhe një anëtar i tretë.
Është fjala për Arben Carkanji, që sipas burimeve të sigurta është larguar për shkak të këtyre problemeve të dopingut, por dhe për shkak të problemeve personale. Dhe tashmë kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes duket se ka mbetur “gjysmagjel”.
Kanë mbetur vetëm katër anëtarë, që janë presidenti Elez Gjoza, zëvendëspresidenti Ilir Kulla, si dhe Asim Belinova. Është dhe një i katërt. Por në kushtet kur kanë mbetur vetëm katër e të gjithë po ikin një e nga një duket Federata Shqiptare e Peshëngritjes po shkon drejt shkrirjes.
Pa thënë që duhet të hyjë në zgjedhje të reja, sepse ka nevojë për njerëz të rinj, të cilët të bëjnë të tjera politika për një sport të pastër, larg dopingut dhe larg fshehjes së vërtetës. Dhe dorëheqja e Arben Carkanjit është një shembull për të gjithë, pasi katër raste doping, tre vetëm pas Botërorit, nuk është e lehtë për askënd…