AlbanianSport.com 21.06.2016 23:55
ASNN – Shqipëria, sipas “Top Channel”, do të përfaqësohet me një peshëngritës në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Rezultatet e arritura nga Briken Calja dhe Erkand Qerimaj e kanë renditur Federatën Shqiptare mes 8 më të mirave te botës dhe si e tillë Shqipëria përfiton një kuotë për olimpiadën e verës.
Në gjuhën sportive, kuota përkthehet me 1 sportist pjesëmarrës. Federata Ndërkombëtare e shtangës ia ka konfirmuar këtë lajm si Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ashtu edhe Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Kjo e fundit duhet të zgjedhë se cili mes Caljes dhe Qerimajt do të shkojë në Rio.
I kontaktuar me telefon nga media në fjalë, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjozaj, sqaroi se do të jetë Komiteti Ekzekutiv i këtij organizmi ai që do ta vendosë këtë, por, sipas tij gjithçka do të vendoset në bazë të rezultateve të këtyre dy sportistëve.