Pasditja e së premtes në Pallatin e Sportit e të Rinisë në Prishtinë ka shfaqur një përfaqësim dinjitoz dhe impresionues të peshëngritjes shqiptare. Duke qenë një sport elitar në Shqipëri, në Kosovë sportistët e shtangës të Tiranës, me trajner Hektor Shaqirin, të Shtërmenit, me trajner Leonard Toskën, dhe të ekipit privat të “Masglass”-it, me trajner Faik Nebiaj, kanë shfaqur një përvojë mjaft pozitive.
Kristi Ramadani me trajner Hektor Shaqiri, që garoi në peshën 69 kg, arriti të ngrejë 107 kg në stilin e shkëputjes dhe 138 kg në stilin e shtytjes dhe me 245 kg në dygarësh është shpallur peshëngritësi më i mirë i kësaj veprimtarie. Por dhe rezultati i Alent Elezit të Shtërmenit, po në peshën 69 kg, i cili u rendit i treti me 225 kg në dygarësh, ishte i kënaqshëm dhe dëshmi e punës së mirë që bëhet me këto talente, apo dhe me shtangistë të tjerë në ekipet tona.
Duhet evidentuar fakti se edhe peshëngritësit e skuadrave nga Kosova kanë nisur një cikël vërtetë progresiv. Të tillë, aq sa në shtator të këtij viti ata kanë marrë përsipër organizimin e Kampionatit Evropian të grupmoshës së Nën-15 dhe Nën-17-vjeçarëve. Kampionatin Mbarëkombëtar të peshëngritjes nën emrin e heroit Adem Jashari e ka ndjekur dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.