Gjergj Vyshka 17.01.2015 08:00
As institucionet më të larta sportive në vend deri në mbrëmje vonë nuk dinin asgjë. Në Federatë betohen se nuk ka ardhur ende gjë nga laboratori i Këlnit në Gjermani. Peshëngritja shqiptare deri në mbrëmje vonë të së premtes e ka mbajtur sekret përgjigjen e analizës B të Daniel Godellit. Në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, teksa i kanë parë bashkë presidentin Elez Gjoza dhe anëtarin e kryesisë Ilir Kulla me shtangistin Daniel Godelli, janë betuar se nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga laboratori i antidopingut në Këln të Gjermanisë, atje ku të premten është bërë dhe kjo analizë.
Dhe tashmë të gjithë kanë mbetur pezull i kësaj përgjigje, ndërsa për hir të së vërtetës duhet pranuar se as institucionet më të larta të sportit shqiptar, që do të thotë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk kanë pasur asnjë lloj përgjigje. Edhe pse janë interesuar pranë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, edhe ata kanë marrë të njëjtën përgjigje si të gjitha mediat e interesuar për këtë gjë. Përtej kësaj, deri më tani si për Begajn, ashtu dhe Pulakun, analiza B ka konfirmuar të njëjtën gjë të asaj që ka ndodhur më parë në Botëror dhe Evropian.
Dhe për rrjedhojë, të paktën sipas që konfirmohet nga burime të sigurta, është se do të ketë një gjobë prej 5000 eurosh për të katërt rastet që do të thotë 20 mijë euro. Kurse për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes 100.000 euro, pa thënë që edhe një pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare. Në kushtet kur peshëngritësit do të dalin para panelit të dëgjimit në Lima në prill, atëherë i bie që të mos jenë në Evropianin e të rriturve në Tbilisi. Pa thënë që do të mund të mungojnë dhe në Kampionatin Botëror të të rriturve në Hjuston.
E kësisoj peshëngritja ul të gjitha shanset e saj për të qenë e kualifikuar me normë në Olimpiadë. Megjithatë ajo që mbetet është se peshëngritja shqiptare, paçka se thotë që nuk di gjë dhe nuk ka ardhur asgjë, duket se po e mban sekret përgjigjen e analizës B të Godellit, duke mbetur gjithnjë në pritje…