Gjergj Vyshka 15.09.2015 07:50
Peshëngritja shqiptare tashmë do të jetë gati për Kampionatin Botëror të të rriturve në Hjuston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila është e vlefshme për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Delegacioni shqiptar në këtë veprimtari do të kryesohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Agron Haxhihyseni.
Për femra Shqipëria do të përfaqësohet nga Shqiponja Brahja në peshën 48 kg dhe Evangjeli Veli në peshë 53 kg. Për meshkuj janë Emanuel Lushi në peshën 62 kg, dhe Alban Hoxha në peshën 69 kg.
Po kështu janë edhe Briken Calja në peshën 69 kg, Erkand Qerimaj në peshën 77 kg, Krenar Shorja në peshën 85 kg, Ervis Tabaku në peshën 94 kg, Endri Karina në peshën 94 kg.
Trajnerë të kombëtares do të jenë Zef Kovaçi, Ilir Çela, Leonard Toska. Tashmë ky duket se do të jetë shansi i fundit i Shqipërisë për të qenë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” me normë.