Gjergj Vyshka 13.12.2016 07:55
Peshëngritja shqiptare ndodhet përpara veprimtarisë më të rëndësishme të vitit, teksa bëhet fjalë për Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve, i cili të hënën e ardhshme do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Për një garë të pastër dhe konkurrim të ndershëm kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, sipas shkresës që është shpërndarë të klubeve të premten, është vendosur kontrollin anti-doping.
Që do të thotë se ata që rezultojnë pozitiv në këto analiza do të ndeshen me ndëshkime, të cilat janë si më poshtë, të vendosura këto nga kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes: Shkelësit do të gjobiten me 5,000 dollarë amerikanë, do të kthejnë lekët e trajtimit ushqimor, pezullohen 4 vjet nga takimet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Po kështu, shkelësve do t’u dërgohet çështja në ndjekje penale për shkelje të konkurrencës jo të ndershme sportive. Ndodh kështu, sepse peshëngritja shqiptare është djegur nga ajo ngjarje e Botërorit 2014 në Kazakistan, atje për dy vjet u pezulluan për shkak të substancës së ndaluar stanozolol Daniel Godelli dhe Romela Begaj, si dhe tetë vjet, po për të njëjtën substancë, Hysen Pulaku.
Tashmë dënimi i Godellit dhe i Begajt ka përfunduar dhe ata pritet që të ngjiten për herë të parë në pedanë pas këtij ndëshkimi në kampionatin e të rriturve duke premtuar që në vazhdim, së bashku me të tjerë, do të jenë përsëri të fortë për të sjellë medalje nga arena ndërkombëtare.