Gjergj Vyshka 13.12.2016 14:35
Me vendim të kryesisë së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, sipas shkresës drejtuar klubeve, para garave do të ketë kontroll antidoping. Dalja pozitiv në analiza paralajmëron ndëshkim. Ndërkohë, edhe renditja do të jetë në sistem kualifikimi me pikë.
Vendi i parë, i dytë dhe i tretë do të marrë diplomë, vendi i parë medalje ari. Kurse peshëngritësi dhe peshëngritësja më e mirë do të nderohet me Kupë dhe diplomë. Klasifikimi i tyre do të bëhet me koeficient sinklariteti. Skuadrat e vendit të parë, të dytë dhe të tretë do të marrë Kupë dhe Diplomë.
Sakaq është vendosur që ekipet të kenë 10 meshkuj dhe 9 femra, por mund të konkurrohet dhe me 8 djem e shtatë femra. Po kështu nuk mund të konkurrohet me më shumë se dy peshëngritësa në një peshë, sikurse një peshëngritës nuk mund të konkurrojë më tepër se sa në një peshë trupore.
Dhe boshti i shtangës do të jetë i firmës “Eleiko”. Kësisoj peshëngritja shqiptare është gati për Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve, i cili të hënën e ardhshme do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.