AlbanianSport.com 06.03.2015 20:35
ASNN – Në kohën kur ende nuk dihet e ardhmja e peshëngritësve shqiptarë të cilët rezultuan pozitivë në Botërorin e Kazakistanit, një lajm i mirë për kombëtaren tonë vjen nga Federata Evropiane. Institucioni më i lartë i këtij sporti në kontinent, ka bërë një përjashtim dhe ka pranuar që Shqipëria të ketë përfaqësuesit e saj në Tbilis. Në faqen zyrtare të kësaj Federate, vërehet se Shqiponja Brahja në 48 kg dhe Erkand Qerimaj në 77 kg do të jenë dy peshëngritësit e vetëm shqiptarë që do të kemi në Evropianin e prillit që do të organizohet në Gjeorgji.
Pak ditë më parë, AlbanianSport.com publikoi një “e-mail” të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Evropiane, Hasan Akush, ku thuhej se ne rrezikonim pjesëmarrjen pasi Federata Shqiptare ishte shumë vonë për të regjistruar sportistët në Evropian, në shkelje të të gjitha afateve. Kështu, Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që do të mbahet muajin e ardhshëm në Tbilisi. Ngërçi është zgjidhur dhe dy sportistë janë regjistruar për këtë garë.
Erkand Qerimaj, kampion në fuqi i Evropës dhe Shqiponja Brahja janë dy shtangistët që do të përfaqësojnë vendin tonë në këtë veprimtari të rëndësishme kontinentale. Emrat e tyre janë shfaqur në listën paraprake në faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Federata jonë nuk kishte regjistruar në kohë peshëngritësit, por është bërë një përjashtim, që padyshim do të jetë i fundit, për shkak të problemeve që ka kaluar ky sport kohët e fundit.
Rastet e dopingut në Kampionatin Botëror të zhvilluar nëntorin e kaluar në Kazakistan tronditën peshëngritjen shqiptare. Ende nuk ka asnjë vendim përfundimtar për sportistët, të cilët kanë dalë pozitivë gjatë testeve të kryera në garat e fundit ndërkombëtare. Romela Begaj, Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku pritet të dalin para panelit të dëgjimit në fund të këtij muaji.