Gjergj Vyshka 24.01.2016 14:40
Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, e ka vlerësuar punën e shkëlqyer që peshëngritja ka bërë për të shmangur rastet e dopingut. “Më duhet të përshëndes arritjet e peshëngritjes në Botërorin e Amerikës, – ka deklaruar ai. – Kam qenë në një dëgjesë që peshëngritja për shkak të rasteve të dopingut duhej të mbyllej. Por unë kam qenë kundër, sepse ne jemi me parimin e zgjerimit të sporteve dhe shtimin e klubeve.”
“Ju keni mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ndërsa morali olimpik duhet të jetë nxitje për ju, – ka vijuar titullari i MAS-it. – Si shembull duhet të marrim Greqinë Kampione e Evropës më 2004, ndërsa peshëngritja është themeli i çdo sporti”. Por menjëherë ka reaguar trajneri i kombëtares dhe i Shtërmenit, Leonard Toska: “Kemi dëgjuar përpara një jave Fidel Yllin për ligjin e sportit, ndërsa sërish vlerësohet deri në vendin e 5-të në Botëror, vendin e 6-të në Olimpiadë dhe vendin e parë në Mesdhe.
“Nëse është kështu më mirë të mos bëhet si ligj. Duhet të ndërhysh që të jetë një ligj model për Shqipërinë”, – ka përfunduar trajneri shtërmenas. Dhe zëvendësministri i Sportit, Rauf Dimraj, ka reaguar lidhur me këtë, duke thënë që Këshilli Kombëtar i Sportit është duke punuar, ndërsa ka bërë vërejtjet e veta, të cilat shumë shpejt do të pasqyrohen në të.