Gjergj Vyshka 24.01.2017 17:05
Daniel Godelli, “kampioni i botës” më 2014-ën, por i penalizuar nga përdorimi i substancës së ndaluar “stanozolol”, së bashku me Hysen Pulakun dhe Romela Begajn, ka kërkuar në një status në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, që çështja e dopingut të mos përdoret për interesa personale të askujt. Madje ai ka deklaruar se në statusin e djeshëm ka thënë që Federata ka këshilluar të hanin e të pinin ato që do t’i jepte Luan Shabani, jo se ishte Federata që i çoi drejt dopingut.
“Çështja e dopingut të mos përdoret për interesa personale të një individi, apo të një Federate, – ka shkruar shtangisti i njohur peqinas në statusin e tij. – Në fjalët e mia nuk thash që dopingu është dhënë me urdhër. Ne nuk e dimë nëse e kemi marrë, apo nuk e kemi marrë atë substancë. Thash vetëm që na është thënë të kishim besim total tek Luan Shabani. Nëse dikush do dëshminë e fjalëve të mia është fjala e dëshmitarëve, të cilët kanë qenë në atë grumbullim në Greqi që shumë mirë e thonë të vërtetën.”
“Dhe nëse është dikush, i cili dyshon tek rezultati im, atëherë e ftoj dhe tani në pedanë, e kjo cilindo sportist dhe këdo që kërkon të jetë në tribunë, nëse kanë dyshime në aftësitë e mia, – ka vijuar ai. – Nëse dikush nga këta 15 sportistë del e mohon praninë e tij në ekipin kombëtar të grumbulluar në vitin 2014 duhet të ketë një arsye të fortë. Ka video dhe foto të gjithë sportistëve, të cilët kanë qenë në atë vend. Të gjithë i kanë parë dhe mund t’i shohin sërish.”