Gjergj Vyshka 24.01.2016 16:55
Edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, është ngacmuar për Ligjin e Sportit. Dhe ky ngacmim ka ardhur nga trajneri i Flamurtarit, Hysen Cenaj, i cili ka pasur sugjerimin që për shkak të atyre 324 medaljeve që peshëngritja ka grumbulluar në 44 vjet, duhen llogaritur vitet e sportit në pensione pune. Dhe menjëherë ka ardhur përgjigja e Gjozës. “E njohim si problem dhe ne e kemi kthyer ligjin mbrapsht me vërejtjet përkatëse”, – ka thënë ai. – Mos harroni që ne kemi sjellë nga Sllovenia ministrin që është pranë Bashkimit Evropian dhe është marrë me këto ligje.”
“E shpresojmë që gjithçka të rregullohet, sepse në asnjë moment nuk ka për të qenë ligj paçavure”, – ka vijuar ai. Ndërkohë për të parin e olimpizmit shqiptar fryma e diskutimit me të cilën është bërë asambleja vjetore e peshëngritjes shqiptare ka qenë më shumë se pozitive. “Ne kemi biseduar dhe me presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tomas Ajan, i cili ka kërkuar që të mos përsëriten më rastet e dopingut, – ka thënë Bezhani. – Dhe në fakt peshëngritja duhet të jetë një sport i pastër për të cilin ne shpresojmë të ndodh kështu”.
Dhe në këtë frymë, me kryerjen e analizës teknike nga Sekretari i Përgjithshëm Agron Haxhihyseni, si dhe atë financiare nga Loreta Pirra (Metaj), apo dhe shpalljen e programit të vitit 2016 nga presidenti Gjoza, pa shumë diskutime e debate, peshëngritja shqiptare e ka mbyllur analizën e saj vjetore me shpresën se gjithçka do të jetë tashmë e medaljeve të pastra. Në fund është zgjedhur dhe anëtari më i ri i kryesisë së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që është Klodian Rrepaj, zëvendësministri i Shëndetësisë.