AlbanianSport.com 06/08/2021 23:55
ASNN – Gjatë sezonit të verës, noti është padyshim një nga sportet më të mirë për t’u praktikuar. Përveçse mposht temperaturat e larta dhe ju freskon në momentet që trupi juaj ka më shumë nevojë, noti sjell edhe shumë përfitime për shëndetin, të cilat asnjë sport tjetër nuk mund t’i sjellë në të njejtën formë. A e dinit se noti ul riskun e vdekjes së parakohshme me 28%? Studimet e bëra tregojnë se përfitime të tjera përfshijnë uljen e presionit të gjakut dhe mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqerit në gjak. Doni të dini më shumë përfitime? Hidhini një sy artikullit të mëposhtëm.
Përfitimi i parë: Është një nga format më të mira të kardios
Nga natyra, noti është një sport që ju privon nga oksigjeni. Duke qenë një ushtrim aerobik, ai zgjeron zemrën dhe mushkëritë. Sa më e fortë të jetë zemra, aq më e efektshme bëhet në pompimin e gjakut me oksigjen. Fuqia e mushkërive që mund të zhvillohet me kalimin e kohës është e jashtëzakonshme. Mënyra se si e menaxhojmë frymëmarrjen gjatë notit është shumë e rëndësishme. Të marrësh frymë në mënyrën e duhur është baza e lëvizjes, por pothuajse gjithmonë neglizhohet, madje edhe te atletët e nivelit të lartë.
Për shkak të kësaj, është gjëja e parë që duhet të mësoni përpara se të filloni të praktikoni notin në mënyrë të rregullt. Drejtori ekzekutiv i klubit të notit në Los Anxhelos, Xhejson Shvarc, thotë: “Ju duhet të vendosni në të njëjtin ritëm lëvizjet e krahut, trupit, shpinës dhe kokës, ndërsa rrotulloheni për të marrë frymë. Në vend që të ktheni kokën, lejoni që koka juaj të shkojë natyrshëm me trupin për të marrë frymë.”
Përfitimi i dytë: Trupit tuaj i pëlqejnë lëvizjet në ujë
Uji vepron si një pengesë për forcën e gravitetit, duke e bërë trupin të ndjehet shumë i lehtë. Kjo i ndihmon muskujt, kockat dhe nyjet tuaja të funksionojnë pa dhimbje. Shvarci i nxit klientët e tij të notojnë në ujë të ftohtë dhe të hapur sa herë që të kenë rastin, gjë që ndihmon në uljen e inflamacionit të përgjithshëm, rrit sistemin imunitar dhe përmirëson efikasitetin metabolik.
Përfitimi i tretë: Noti ju qetëson
Noti ju mban të përqendruar. Shumë njerëz mendojnë se noti është një sport shumë paqësor sepse ndihmon në relaksimin e mendjes. Noti është një arratisje nga kaosi i jetës së përditshme, gjatë së cilës mund të çliroheni nga streset e akumuluara dhe të krijoni një balancë emocionale që do të zgjasë edhe në vazhdim.
Gati për not?