Gjergj Vyshka 13.01.2016 08:45
Mirjan Hakani, mjeshtri i pavdekësisë. Kështu e kanë cilësuar miqtë e tij, të cilët dje në mesditë në sallën “Unesko” të Muzeut Historik Kombëtar janë mbledhur për të kujtuar edhe një herë këtë figurë të madhe sportive 40 ditë pas largimit nga kjo jetë. Njerëz të sportit, të artit, por dhe të politikës e të gazetarisë janë mbledhur, sepse Mirjan Hakani ishte i të gjithë, i donte të gjithë dhe të gjithë e donin për zemrën e tij të madhe.
Kështu ka qenë përfundimi i të gjithë atyre që folën për të, në një spektakël kujtimesh e dhimbjeje për një humbje të papritur të Hakanit, ndërsa e kanë cilësuar gabimin e tij të vetëm që ai u largua kaq shpejt në moshën 54-vjeçare, por që në fakt do të mbesë gjithnjë gjallë në kujtimet e miqve dhe shokëve të tij.
Me anë të një duartrokitjeje të gjatë është kujtuar Mirjan Hakani, kurse më pas është transmetuar një dokumentar dhjetë minutësh i Telesportit për këtë figurë sportive. Më pas gjithçka ka ardhur përmes kujtimit të miqve të tij.