AlbanianSport.com 19/12/2018 15:40
ASNN – Kupa e Shqipërisë në volejboll ka kaluar turin e fazës së grupeve dhe tani nodhet në raundin gjysmëfinal, si për meshkuj dhe për femra. Priten duele mjaft të forta dhe mjaft interesate, jo vetëm për nga emrat që marrin pojesë, por njëherësh dhe për cilësitë që kanë skuadrat këtë edicion. Ka rivalitet të spikatur, kështu që nuk mund të thuhet se ka vetëm një skuadër pretendente.
Kjo e bën garën për trofeun e kupës tërheqës. Formula e garës është e qartë, pasi vendi i parë në grup përplaset me vendin e dytë të grupit tjetër dhe anasjelltas. Kështu, për meshkujt, do të kemi një duel derbi të denjë për një finale, pasi përplasen Partizani me Tiranën. Kurse Erzeni që doli në vend të parë në Grupin B, do të përplaset me Vllazninë, e cila doli e dyta në grupin A.
Në të dy rastet do të ketë përballje titanësh në volejbollin e meshkujve. Partizani është i fortë edhe tek femrat, së bashku me Tiranën, por në këtë gjini, në gjysmëfinale nuk do të jenë përballë njëra-tjetrës. Kështu, në gjysmëfinale, Tirana do të përplaset me Mirditën dhe dihet që vajzat mirditore kanë një skuadër shumë të fortë dhe janë shfaqur pretendente për të dy trofetë e këtij sezoni.
Dueli tjetër gjysmëfinal është ai mes Barleti Volej dhe Partizanit. Edhe në këtë ndeshje nuk ka favoritë, pavarësisht se Barleti ka prej disa vitesh që militon në nivele të larta, duke pasur qëndrueshmëri. Në të dy gjysmëfinalet shanset për secilën skuadër janë 50:50, prandaj ndeshjet e kupës priten me interes deri në momentin e fundit. Duelet e Kupës së Shqipërisë, si për meshkuj dhe për femra do të luhen para se të nisë faza e dytë e kampionatit kombëtar.
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Meshkuj
Ndeshjet gjysmëfinale:
Partizani – Tirana
Erzeni – Vllaznia
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Femra
Ndeshjet gjysmëfinale:
Mirdita – Tirana
Barleti Volej – Partizani