AlbanianSport.com 22/01/2024 18:00
ASNN – Serbia e Nën-18-vjeçarëve luajti të shtunën ndeshje me Turqinë, ndërsa për ndeshjen e së dielës me Kosovën, serbët gjetën justifikimin. Sipas Federatës së Volejbollit të Kosovës, arsyetimi zyrtar i Federatës serbe ishte se “9 lojtarë të Serbisë kanë qenë me temperaturë, që ua ka bërë të pamundësuar daljen në parket”. Por në Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK) dyshojnë se justifikimi i serbëve është i vërtetë, pasi të tilla justifikime ka patur edhe në një numër ndeshjesh në të shkuarën, në sportin e volejbollit, por edhe në sporte të ndryshme.
“Duke pasur parasysh qasjen refuzuese të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës, FVK-ja e konsideron të paqëndrueshëm arsyetimin e dhënë nga Federata Serbe e Volejbollit dhe do të kërkojë nga CEV-i që Serbia të sanksionohet për këtë veprim, – shkruhet në njoftimin e organizmit që qeveris volejbollin e Kosovës. – FVK-ja më shumë do t’i gëzohej suksesit të arritur në arenën sportive sesa rezultateve të vendosura “në tavolinë”. Kombëtarja jonë u paraqit në fushë, tregoi pjekuri për lakmi dhe nivel të lartë të profesionalizmit.”
“Sporti duhet të krijojë ura bashkimi, e Serbia në këtë rast ka dëshmuar përmes veprimeve të kësaj natyre se akoma nuk e ka këtë vullnet e gatishmëri, – vijon njoftimi i FVK-së. – U mbetet mekanizmave brenda BVA-së dhe CEV-it që ta hetojnë këtë veprim, për të cilin, bazuar nga hapat e ngjashëm edhe në të kaluarën, nënkuptohet si tendencë për ta shmangur duelin me Kosovën.” Federata Serbe Volejbollit e Serbisë ende nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për humbjen e ndeshjes me rezultatin zyrtar. Nuk është hera e parë që serbët kanë refuzuar të përballen me Kosovën në volejboll.
Kjo deri më tani ka ndodhur goxha shpesh në kampionate ballkanike, sidomos në volejbollin në rërë. Për shkak të mënyrës se si janë të organizuara garat në volejboll, sidomos në ngjarjet ballkanike, Kosova e Serbia duhet të përballen shpesh. Por në volejboll përgjegjësit janë kujdesur që dy përfaqësueset mos të jenë në grup, ndërsa edhe ballafaqimi për plasman kryesisht është shmangur. Në volejbollin në rërë refuzimi i serbëve për t’u përballur me Kosovën ka kaluar pa pasoja. Edhe refuzimi i së dielës i Serbisë me shumë gjasë do të kalojë pa pasoja.
Ndikimi i serbëve në Federatën Evropiane (CEV) është mjaft i madh, teksa President i Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV) është serbi Aleksandar Boriçiç.