Kur të gjithë ata që kanë bërë historinë e kësaj skuadre janë larguar dhe nuk marrin kurajën për ta ngritur zëri se Dinamo, ajo që ka qenë një ndër furnizuesit kryesorë të ekipeve kombëtare, duhet çuar në Superiore dhe duhet të jetë përsëri e fortë, një zë vjen nga larg Shqipërisë. Dhe ky është Eduard Abazi, ish-sulmuesi i Dinamos dhe kombëtares shqiptare. Pikërisht në një letër drejtuar të gjithë dinamovitëve, që është shpërndarë nëpërmjet “Facebook”-ut, Abazi i ka bërë thirrje të gjithë: “Shpëtojeni Dinamon!”.
Ja çfarë shkruan Abazi në letrën e tij, që dje është shpërndarë nga “Blue Boys” dhe “Unë jam dinamovit”:
“Përshëndes të gjithë dinamovitët dhe i bëj një ftesë të gjithëve që e dëshirojnë futbollin që të bëjnë të pamundurën për ta çuar këtë skuadër në Kategorinë Superiore. Po del qartë dhe është e padiskutueshme se pa Dinamo edhe ekipet kombëtare e ndjejnë diferencën e rezultateve. Mbetem me shumë shpresë që të gjithë dinamovitët do të fillojnë të gjejnë mundësinë për të krijuar një Dinamo ashtu siç e dëshirojnë të gjithë. Të mos presin, por të kërkojnë ide e të bashkohen me një program të suksesit, atje ku të mendojnë që Dinamo i përket të gjithëve. Përfitoj nga rasti të falënderoj klubin “Dinamo”, tifozat e kësaj skuadre, që janë më të kulturuarit e këtij vendi. Të gjithë ata që kanë luajtur me mua dhe stërvitur po me mua, por dhe ato që punojnë në këto momente të vështira të klubit, mund të quhen pa frikë heronjtë e Dinamos. Kudo që kam kaluar dhe po jetoj, Dinamo është në zemrën time. Shpresoj që ky koment të më kthejë një përgjigje konkrete, të dëshiruar për një kthim urgjent të Dinamos në “Top-Listën” e futbollit shqiptar”.
Kjo ka qenë letra e Abazit, ndërsa Dinamo në tërësinë e vet i mungon të gjithë futbollit shqiptar, ndaj dhe duhet kthyer atje ku e ka vendin. Sepse ka qenë në majën dhe në elitën e top-këmbës shqiptare.
* Ish-futbollist i Dinamos dhe ekipit kombëtar