AlbanianSport.com 15/01/2019 13:50
ASNN – Ata urrehen, por për shëndetin nxitojnë të shprehin solidaritet, Pele mesazh emocionues Maradonës pas operacionit. Legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, kaloi me sukses operacionin në stomak dhe tani ndihet më mirë, madje shpreson të kthehet në Meksikë për të drejtuar ekipin e ligës së dytë, Dorados. Një mesazh emocionues ka marrë Maradona nga legjenda tjetër e futbollit botëror, braziliani Pele.
“Përshëndetje Diego! Nuk më pëlqen kurrë të dëgjoj se një anëtar i klubit “#10” nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Shpresoj të ndihesh më mirë sa më shpejt që të jetë e mundur, shoku im”, i ka shkruar Pele Maradonës, duke përdorur adresën e tij në rrjetin social “Twitter”. Ajo që është interesante midis dy legjendave lidhet me urrejtjen e tyre të thellë ndaj njëri-tjetrit, për shkak të famës së jashtëzakonshme që disponojnë. Të dy pretendojnë se janë numri 1 në botë.
Dhe për këtë kanë të rreshtuar pas tyre një armatë të madhe tifozësh, por Pele dhe Maradona bëhen bashkë kur dikush tjetër synon të futet mes tyre si më i miri në botë. Kjo “dashuri” mes të urryerish, kur është fjala për kërcënimin që vjen ndaj numrit 1, lidhet me atë që si Pele ashtu dhe Maradona nuk pranojnë njëri mbi veten e tyre. As Lionel Mesi nuk shihet në radhën e tyre, pasi ata e refuzojnë të krahasohet me numrin një në botë, një “status” që e kanë “privatizuar” prej shumë e shumë vitesh.
Madje Pele ka bërë një krahasim mjaft domethënës mes Maradonës e Mesit, duke thënë se “Pleshti” as mund të krahasohet me “Dorën e Zotit”. “Si mund ta krahasoni një njeri që luajti mirë me kokë, gjuante me këmbën e majtë, me këmbën e djathtë me dikë që luan vetëm me një këmbë, e ka vetën një aftësi dhe nuk gjuan mirë me kokë, – thotë ndër të tjera legjenda Pele. – Si mund ta bëni këtë krahasim? Për t’u krahasuar me Pelen, duhet të jetë dikush që gjuan mirë me këmbën e majtë, me këmbën e djathtë dhe me kokë.”
“Maradona ishte një ndër lojtarët më të mirë, – vijon ai. – Nëse më pyetni se a ishte ai më i mirë se Mesi, përgjigja ime është që po, ishte shumë më i mirë se Mesi.” Jo rastësisht vjen në këtë moment dhe mesazhi inkurajues i Peles për Maradonën. Për shumë kohë, ata të dy kanë qenë në majën e klasifikimit botëror si më të mirët e historisë, dhe ka gjasa ta mbajnë këtë titull edhe për shumë kohë. Edhe pse urrehen për statusin e më të mirit, midis tyre ka dashuri kur është fjala për shëndetin.