AlbanianSport.com 02.02.2016 22:55
ASNN – Skuadra e Pejës e ka nisur me humbje fazën e dytë të Ligës Ballkanike në Basketboll për Meshkuj (BIBL), pasi u mposht në shtëpi nga skuadra bullgare Levski 2014 me rezultatin 79-85. Pjesa e parë përfundoi me vetëm një pikë në favor të mysafirëve, por epërsia u thellua me të nisur pjesa e dytë. Në pjesën e tretë, mysafirët fituan me 11 pikë epërsi, 17-28.
Ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit, “Shqiponjat” u kthyen duke fituar me gjashtë pikë epërsi, por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e parë. Takimi i parë i zhvilluar është në kuadër të Grupit D të kësaj veprimtarie, grup në të cilin janë edhe SIGAL Prishtina e Kozhuvi.
Kështu, Peja ka pësuar humbjen e parë këtë edicion në Ligën Ballkanike, në një ndeshje ku në dy 10-minutëshat e parë ndeshja ka qenë shumë e barabartë, me epërsi minimale të Levskit 40-41. Dallimi në këtë ndeshje u bë në çerekun e tretë, ku Levski shënoi 28 pikë, ndërsa KB Peja vetëm 17. Pejanët u munduan që në çerekun e fundit të bëjnë diçka më shumë, por pa sukses, pasi në fund u mposhtën 79-85. Tek Peja në këtë takim më i dalluari ishte Drilon Hajrizi me 24 pikë, i ndjekur nga Bëruelli, me 15 pikë.