AlbanianSport.com 28.12.2016 19:50
ASNN – “Kina… aty jeton një gjigand i fjetur. Lëreni të flejë, sepse, kur të zgjohet, do të tronditë botën.” Kjo thënie e famshme e Napoleon Bonapartit thuajse para dy shekujsh po bëhet gradualisht realitet dhe sporti nuk bën përjashtim. Ndonëse për momentin bëhet fjalë për lojtarë jo dhe me aq shkëlqim sa ç’luajnë në Evropë, prapëseprapë futbollin kinez po bëhet një magnet, si për trajnerë, ashtu edhe për lojtarë.
Por, janari i 2017-ës mund të sjellë zhvillime të reja me hapjen e një dege të re të merkatos së futbollit, atë të “xhaketave të zeza”, siç njohin ndryshe gjyqtarët. Etja për të patur sukses në arenën ndërkombëtare të futbollit ka bërë kinezët që jo vetëm të shpenzojnë shuma marramendëse për trajnerë dhe futbollistë, por edhe të sjellin risi në merkaton e futbollit.
Për ta përmirësuar këtë sport dhe për të qene konkurrentë kinezët kanë vendosur t’i vënë skuadrat e tyre në kushte të barabarta me ato botërore dhe kjo nis që nga ata që gjykojnë. Kështu, objektivi i Superligës kineze është të afrojë edhe gjyqtarë nga më të mirët. Një i tillë është edhe Mark Klatenburg, i kuotuar si më i miri në botë për momentin.
Ai ka drejtuar finalen e Kupës së Federatës (FA Cup) në Angli, finalen e Ligës së Kampioneve si dhe atë të Kampionatit Evropian “Francë 2016” kërkohet të shkojë të gjykojë në Kinë. Në merkaton e gjyqtarëve është edhe Hauard Uebi, i cili është një prej kandidatëve për të mbikqyrur “Video Asisstent Referee”, në “Major League Soccer” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.