AlbanianSport.com 20.03.2016 07:35
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka nisur të shtunën me takimin Tërbuni-Laçi, që u mbyll në barazim 1-1, vijon sot me 4 takimet e tjera.
Kështu, duke nisur nga ora 14:00, luhet në Ballsh takimi Bylis-Vllaznia, ndërsa 3 takimet e tjera luhen duke nisur në ora 17:00. Midis tyre, spikat padyshim dueli i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Kukësit, që do të luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi”, që ndez për herë parë prozhektorët.
Kjo sfidë, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, paraqet mbase shansin e fundit për bardheblutë për të mbetur në luftë për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.
Një takim tjetër interesant i mbrëmjes, është ai i Durrësit, ku Teuta pret Partizanin, ndërsa në ndeshjet e fundit të javës së 27-të, Flamurtari është mysafir në Korçë, për t’u ndeshur me kampionen në fuqi dhe kryesuesen e renditjes, Skënderbeun.
Korçarët mbajnë vendin e parë në Superiore, me 60 pikë, 4 më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Kukësi dhe Teuta ndajnë vendin e 3-të dhe të 4-t të renditjes, me nga 44 pikë. Tirana mban vendin e 5-të, me 40 pikë.