AlbanianSport.com 29.04.2016 08:00
ASNN – Pas Studentit për meshkuj, edhe Barleti për femra ka triumfuar në finalen e “play-off”-it ndaj Tiranës, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 3-0, dhe duke siguruar titullin e 3-të radhazi në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit. Të gjitha emocionet e këtij “play-off”-i final, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2.
Edhe Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra ka luajtur të enjten në mbrëmje ndeshjen e tretë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion”, që ka vënë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që i kanë dhënë tonin këtij sportin në parket gjatë 5 viteve të fundit, Barleti Volejin dhe Tiranën. Dhe “kampionia” në fuqi, Barleti Volej, e drejtuar nga trajneri Hasan Gurabardhi, nuk ka gabuar dhe pasi i kishte fituar dy takimet e para, ka vijuar të fitojë edhe ndeshjet e tretë me rezultatin 3-0 dhe duke u shpallur “kampione” e Shqipërisë.
Siç dihet “play-off”-i final konsiston në 5 ndeshje dhe skuadra që fiton 3 prej tyre shpallet “kampione”. Sfida e së enjtes, që u luajt në sallën qendrore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, paraqiste shansin e fundit për vajzat bardheblu, të drejtuara nga trajneri Adrian Gorenca, për të mbetur në valle për titullin “kampion”.
Por, për çudinë edhe të specialistëve të këtij sporti, finalistja bardheblu ka bërë ndeshjen e saj më të dobët të sezonit, duke u mundur në 3 sete. I pari ka qenë mjaft i lehtë për Barleti Volejin, që e fiton atë 25-15, ndërsa në të dy të tjerat, vajzat bardheblu janë përpjekur të rivalizojnë, por kampionia në fuqi i ka fituar edhe ato, përkatësisht 26-24 dhe 25-22, duke u rikonfirmuar më e mira e volejbollit shqiptar të femrave.