Nga Gjergj Vyshka 19.02.2016 17:05
Federatat për sportet e niveleve shkollore, jo vetëm që janë kthyer tashmë në “epidemi” për t’i ndërtuar e rindërtuar, por duket sikur po lindin si “kërpudhat pas shiut”. Kështu mund të cilësohet edhe nisma më e fundit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, që ka kërkuar rilindjen e sportit universitar nëpërmjet krijimit të kësaj Federatë.
E gjithë kjo ide ka ardhur dhe nga marrëveshja e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, me rektorin e Universitetit, Dhori Kule, ndërsa iniciativa është mbështetur nga 16 Universitetet publike dhe private. Ideja është jo vetëm masivizimi i jetës sportive universitare, por dhe shpresohet të jetë një mbështetje për sportin elitar.
Dhe Universitetet që e kanë përkrahur janë “Mesdhetar”, “Marin Barleti”, “Nju Jorku”, “Epoka”, “Evropian”, “Fan Noli, Korçë”, “Aleksandër Moisiu, Durrës”, Gjirokastrës, “Aleksandër Xhuvani, Elbasan”, Bujqësor Tiranë, Artet, Sportet, “Luigj Gurakuqi, Shkodër”, Mjekësor, Politeknik dhe “Ismail Qemali, Vlorë”. Duhet parë se si do të procedohet më vonë, por që për mungesë terrenesh, të paktën në Tiranë, sporti është shumëzuar me zero si proces mësimor.
E kështu ka të ngjarë të jetë thjesht si emër Federata e Sportit Universitar, sepse në Lojërat Universitare Botërore, pa një e pa dy, sërish përfaqësimi i vendit do të vijë nga sportistët profesionist. Megjithatë KOKSH-i e ka marrë përsipër rindërtimin e Federatës së Sportit Universitar, ndonëse si nëndegë, së bashku me atë të Sportit shkollor, janë të gjitha pjesë të Federatës së Sportit për të gjithë…