AlbanianSport.com 31.01.2015 21:50
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit i ka luajtur të shtunën të gjitha ndeshjet e tjera të javës së saj të 20-të dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin përmbyllës, atë orës 17:00, midis Apolonisë dhe Partizanit.
Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit u mbyll praktikisht brenda 10 minutave të para, pasi Partizani ka shënuar dy herë, fillimisht me anë të Vilës e më pas me anë të Trashit, ndërsa 80 minutat e tjera nuk kanë sjellë gola të tjerë dhe të kuqtë kanë marrë 3 pikë mjaft të çmuara.
Ndërkaq, më herët, duke nisur nga ora 14:00, janë luajtur 3 takime dhe Vllaznia është mundur në Durrës, duke u dorëzuar me shifrat 1-2 përballë Teutës. Ndërsa në Kukës, skuadra vendase është përballur me Elbasanin, duke e mundur me rezultatin 3-0, me të 3 golat e shënuar nga kroati Pejiç.
Po duke nisur nga ora 14:00, Skënderbeu është përballur në Korçë me Laçin, në një sfidë që është mbyllur me rrjeta të paprekura. Java e 20-të pati nisur të premten, me takimin Tirana-Flamurtari, që u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 1-0. Pas kësaj jave, renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson, Kukësi, me 44 pikë, i ndjekur nga, Tirana me 41 dhe Skënderbeu e Partizani, me nga 40 pikë.