AlbanianSport.com 19/06/2020 20:55
ASNN – Kishte 4 muaj pa e shijuar fitoren e për më tepër, 5 ndeshje radhazi që mundej, por fatet e Partizanit janë ndryshuar në vetëm 6 ditë, teksa të kuqtë kanë korrur dy fitore radhazi në kampionat, duke shënuar në proces plot 10 gola e duke pësuar vetëm dy. Dhe, pasi ka mposhtur thellë, 8-1, Luftëtarin të dielën, të premten të kuqtë e trajnerit Adolfo Sormani kanë mposhtur Flamurtarin në Vlorë me rezultatin 2-1.
Eneo Bitri dhe Jurgen Bardhi siguruan 3 pikët e radhës duke e çuar Partizanin drejt vendit të 5-të në kampionat dhe shpresës për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm. Përkundër pritshmërie, vlonjatët realizuan një pjesë të parë tepër pozitive duke arritur të barazonte Partizanin brenda 120 sekondave pasi Bitri kaloi të kuqtë në epërsi. Duke zbritur me kundërsulm, skuadra kuqezi mbylli pjesën e parë në barazim 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë, Partizani shtoi forcat në sulm duke qenë më këmbëngulës. Pas 67 minutave lojë, Bardhi gjen momentin e duhur për t’i dhënë fitoren e dytë radhazi Partizanit. Në fakt, duhet theksuar se humbja në ato shifra të ngushta për Flamurtarin ishte edhe për meritë të portierit Moçka. Partizani ngjitet në kuotën e 44 pikëve, po aq sa ka edhe Teuta e vendit të 6-të, që ka luajtur një ndeshje më pak, dhe dy më pak sesa Laçi i vendit të 4-të dhe Skënderbeu i vendit të 3-të.