AlbanianSport.com 19/10/2018 14:20
ASNN – Partizani nuk i ka lënë asgjë rastësisë kur është fjala për lojtarët kryesorë të grupit. Sot rinovoi kontratën me mesfushorin Lorenc Trashi, një nga më të mirët e skuadrës së kuqe. Më shumë se gjithçka tjetër rreth kësaj lëvizjeje tregon vetë postimi i Klubit kryeqytetas në rrjetin social “Facebook”, që qartëson edhe kushtet e reja kontaktuale.
“Klubi zyrtarizon sot zgjatjen e bashkëpunimit me Lorenc Trashin, – thuhet në këtë postim. – Lojtari 26-vjeçar dhe drejtuesit kanë nënshkruar kontratën e re deri në vitin 2020, me mundësi rinovimi edhe për 1 vit tjetër, duke konkretizuar kështu pozitivisht të ardhmen e titullarit te Partizani.” Trashi, pjesë e të kuqve nga viti 2014, falë paraqitjeve dhe cilësive që ka shfaqur përgjatë gjithë përvojës me fanellën e kuqe, konsiderohet një prej lojtarëve më të spikatur të Partizanit dhe kampionatit shqiptar.
“Rinovimi i kontratës erdhi me dëshirën e të dyja palëve, fakt i cili pasqyron më së miri besimin dhe korrektësinë e marrëdhënies klub-lojtar”, – përfundon postimi i klubit të kuq të kryeqytetit.