AlbanianSport.com 25/10/2018 13:25
ASNN – Partizani ndeshet të hënën me Skënderbeun, në takimin e vlefshëm për javën e parë të fazës së dytë të Kategorisë Superiore të këtij sezoni. Përkundër faktit që kryesojnë renditjen, të kuqtë shkojnë në përballjen me të vetmen skuadër që i ka mundur këtë sezon me një numër problemesh. Kështu, çështja “Trashi” ka futur Partizanin në krizë serioze, ndërsa përfshihen edhe drejtuesit.
Në kryendeshjen e së hënës midis Partizanit dhe Skënderbeut, skuadrës së kuqe do t’i mungojë me shumë gjasa një prej lojtarëve kryesorë, Lorenc Trashi. Shkak është pezullimi që i ka bërë klubi pas një “fërkimi” mes lojtarit e trajnerit Skënder Gega menjëherë pas ndeshjes me Luftëtarin në fundjavën e shkuar. “Arsyet e pezullimit, – thotë drejtori i klubit Olsi Rama, – i kemi paraqitur në media.”
“Por lojtari nuk e ka zbatuar vendimin, pasi nuk është paraqitur tek Partizani B, kështu që mund të ketë ndonjë masë shtesë”, – ka vijuar ai. Bëhet fjalë për pezullimin që i bëri klubi mesfushorit të saj duke e dërguar të stërvitet me skuadrën B, një lëvizje që me sa kuptohet është “përkthyer” nga futbollisti si fyerje. Sidoqoftë, rregullat disiplinore duhen zbatuar dhe Trashi ka gjasa të marrë masë më të rëndë ndëshkimore.
Kjo për shkak se nuk ka pranuar të stërvitet as me Partizanin B. Sikurse shkruajnë disa media sportive, lojtari është i nevrikosur me trajnerin që e ka kaluar nga mesfushor në mbrojtës i majtë, në kundërshtim me objektivat dhe aftësitë e lojtarit, ose më saktë kundër dëshirës së tij. Këto zhvillime, tregojnë se Partizani është në krizë dhe se trajneri Gega po ka probleme me menaxhimin e të kuqve kryeqytetas.
Nga ana tjetër, në dyshim për këtë ndeshje është dhe portieri Alban Hoxha, pavarësisht se rikuperimi i tij ka ecur mire dhe deri të hënën mund të ndodhë mrekullia, pra që të jetë gati për duelin me Skënderbeun.