AlbanianSport.com 2710/2018 15:15
ASNN – Partizani do të luajë të hënën në mbrëmje në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit ndaj Skënderbeut, në një duel mjaft interesant dhe gati-vendimtar, pasi përplasen në fushë vendi i parë me vendin e dytë në renditje. Në prag të këtij takimi ka folur për gazetarët trajneri Skënder Gega. Por më shumë sesa ndeshja me Skënderbeun, vëmendjen në deklaratat e trajnerit e mori qëndrimi i tij në lidhje me çështjen “Trashi”.
Një cështje që ka zbuluar se kriza në kampin e kuq është tashmë e dukshme dhe e prekshme, por njëherësh mund të ketë pasoja për vazhdimësinë e skuadrës në këtë edicion. “Jam i kënaqur që në konferencat e mia është folur për grupin, – u shpreh trajneri Gega para gazetarëve, – për mospësimin e golave, aktivizimin e të rinjve dhe gjëra pozitive, por më në fund erdhi kjo pyetje. Nëpërmjet kamerave dua që të shkojë e vërteta ku është dhe mos të abuzohet.”
“Kur kam ardhur këtu nuk kam premtuar as kupa dhe as kampionate, por që klubi do të funksionojë me rregulla dhe do të hyjmë në epokë të re, – ka sqaruar ai. – Deri ndeshjen me Gjirokastrën, gjërat kanë ecur në mënyrë të përsosur. Nëse mungon korrektësia mungon bukuria. Trashi është pjesë e jona dhe jo i larguar, – vijoi Gega. – E bëra edhe kapiten, por, në një moment, harroi që është i tillë. Gaboi pak dhe duhet të mbajmë qëndrim në lidhje me të.”
“Trashi nuk ka ku rikthehet pasi i joni është. I kemi dhënë kohë të reflektojë, ka reflektuar dhe ka kërkuar ndjesë. Shumë shpejt do të jetë me klubin”, – ka përfunduar trajneri i Partizanit, Skënder Gega, duke e mbyllur kështu çështjen e futbollistit të tij.