AlbanianSport.com 18/04/2019 23:00
ASNN – Mirdita cilësohej që në fillim një skuadër favorite dhe kjo falë grupit mjaft cilësor si dhe potencialit që kishte shfaqur gjatë gjithë sezonit. Por vajzat nga Rrësheni nuk ia dolën në “play-loff” të kalonin Partizanin, pasi vajzat e skuadrës së kuqe i fituan të dyja ndeshjet. Ndeshjen e parë e kishte fituar Partizani me rezultatin 3-2, në një duel sat ë vështirë aq edhe emocionues dhe spektakolar.
Me të njëjtat shifra, pra 3-2, Partizani fitoi edhe gjysmëfinalen e kthimit, duke siguruar kalimin në finale e madhe të “play-off”-it. Skuadra e trajnerit Roland Tarja e interpretoi mjaft mirë ndeshjen, duke fituar me guxim ndaj mirditoreve. Ishte një rivalitet ekstrem midis dy skuadrave në parket dhe lufta pranë rrjetës ishte mjaft e sofistikuar në planin taktik.
Aty, ku padyshim ishte meritë e Partizanit që siguroi epërsinë dhe rrjedhimisht edhe kualifikimin. Setin e parë e fitoi Partizani 25-21, duke krijuar besim në vetvete që mund t’ia dilte. Në setin e dytë luftohet për çdo shërbim e për çdo top, por fitojnë mirditoret 25-19, duke barazuar shifrat e seteve 1-1. Në setin e 3-të Partizani zhvillon një duel dramatik dhe arrin të fitojë me vështirësi 27-25.
Por Mirdita u kundërpërgjigj në setin e 4-t me fitoren 25-20. U desh të luhej seti i 5-të dhe final për të përcaktuar fituesen. Në këtë set Partizani bëri diferencë të madhe dhe këtë e tregojnë më mirë shifrat, pasi vajzat e kuqe fitojnë 15-6 dhe krejt ndeshjen 3-2, duke u bërë finalistet e pari të “play-off”-it në volejbollin e femrave, pra duke qenë pretendente për të fituar titullin “kampion” të këtij sezoni.