AlbanianSport.com 04.05.2015 19:25
ASNN – Sot në mbrëmje, në orën 20:45, do të luhet derbi më i madh i futbollit shqiptar, ai mes Partizanit dhe Tiranës. Një ndeshje që për të dyja skuadrat vlen shumë në aspektin e arritjeve sezonale. Kush humbet, me shumë mundësi humbet edhe shansin për të arritur objektivin. Partizani synon që me një fitore të sigurojë zonën e Evropës, një nga tre vendet e para, ndërsa Tirana me një fitore sot vazhdon garën për titullin “kampion”, 3 javë nga fundi i sezonit.
Interesimi për këtë ndeshje mbetet maksimal duke qenë se edhe sasia e biletave të hedhura në treg, rreth 15,000, janë shitur thuajse të gjitha. Nga ana tjetër, policia ka njoftuar se kjo ndeshje do të ketë masa shumë të larta sigurie, nisur edhe nga fakti që do të ketë numër të madh tifozësh. Bllokimi i rrugëve kryesore rreth stadiumit do të fillojë që nga ora 17:30, ndërsa do të angazhohen rreth 300 forca policie, jo vetëm në stadium, por edhe në vendgrumbullimet e tifozëve, prej nga ku do të nisin marshimin.
Në tre përballjet e mëparshme, Partizani ka fituar dy herë dhe një nga ndeshjet është mbyllur në barazim, ndërkohë që ky do të jetë derbi numër 142 i historisë së këtyre dy skuadrave që nga viti 1947.