Gjergj Vyshka 20.04.2015 11:35
Barazimi me Kukësi vë në diskutim stolin e kuqe, por tifozët në mbrojtje të trajnerit. Ishte e ditur që ndeshja me Kukësin ishte shansi i fundit për Shpëtim Duron në krye të skuadrës së kuqe. Sepse vetëm një fitore me verilindorët e mbante Partizanin në rrugën për titullin kampion, që kështu duhet të presë dhe 23 vjet të tjera për të marrë një trofe të tillë. Por dje edhe duke qenë ditë pushimi duket se nuk ka pasur reagim për ndonjë vendim të tillë.
Ndërkohë që në mbështetje të trajnerit Duro kanë dalë tifozët, të cilët e kanë mbështetur atë nëpërmjet një postimi në “Facebook”. Madje grupimi kryesor i tifozëve, “Ultras Guerrils” kanë deklaruar se garantojnë mbështetjen e tyre ndaj skuadrës në javët e mbetura pavarësisht zhgënjimit, ndërkohë që kërkojnë me çdo kusht pjesëmarrjen e skuadrës së kuqe në Kupat e Evropës. “Ultras Guerrils” e mbyllin komunikatën e tyre me një mesazh të qartë për drejtuesit e klubit ku shkruhet:
“As të mos guxojnë dhe të mendojnë të vënë në diskutim trajnerin, përndryshe do të viheni të gjithë ju në diskutim! Duro qëndron”. Mesazhi i fortë i “Ultras Guerrils”, vjen pas një jave të trazuar në të cilën u fol se drejtuesit e Partizanit i kishin vënë një ultimatum trajnerit, i cili duhej të fitonte ndaj Kukësit për të qëndruar në stol. Diçka e tillë nuk ndodhi, por tifozët këtë herë janë me Duron.