AlbanianSport.com 14/10/2018 20:20
ASNN – Sekreti i suksesit të Partizanit është mbrojtja, prandaj bie poshtë thënia “titullin ta jep sulmi”. Pas 8 javësh garë në Kategorinë Superiore, pra një ndeshje larg përfundimit të fazës së parë, Partizani është shfaqur skuadra më e qëndrueshme dhe rrjedhimisht skuadra që ka shanse më të mëdha për të fituar titullin “kampion”. Nuk është luajtur ende 25% e ndeshjeve të kampionatit dhe llogaritë për titullin në këtë moment janë të gabuara.
Por është fakt i pamohueshëm se Partizani i vendit të parë është skuadra që ka befasuar këtë edicion dhe një skuadër që ka dhënë sinjale të forta që mund të kthehet pas 26 vjetësh tek titulli kampion. Renditja e Superiores rrëzon edhe disa tregues që më parë cilësoheshin “të paprekshëm” dhe që kanë të bëjnë me sulmin. Gjithmonë është thënë se “sulmi i fortë të jep titullin” dhe është fakt që Skënderbeu ka pasur sulmin më të mirë vitet e fundit, prandaj edhe ka fituar.
Por jo, Partizani na dëshmon se titullin ta jep mbrojtja më e mirë, nisur nga pozitat që ka aktualisht në renditje dhe golavarazhin. Partizani ka shënuar 9 gola dhe ka pësuar vetëm një, pikërisht golin e pësuar në ndeshjen e javës së parë ndaj Skënderbeut. Rivalët korçarë kanë shënuar më shumë, plot 11 gola, por edhe kanë pësuar më shumë, 4 gola, duke pasur diferencë pozitive golash, +7, pra, një më pak sesa Partizani, që e ka +8.
Nisur nga kjo analizë, mund të kuptohet që Partizani është në vend të parë për shkak se ka mbrojtjen më të mirë. Fiton me shifra më të ngushta, por ka qëndrueshmëri në lojën dhe rezultatet e veta. Merita për këtë i shkon grupit, si dhe trajnerit Skënder Gega, i cili me përkushtimin, njohuritë teknike dhe natyrisht disiplinimin taktik po kthen ekipin e kuq tek sukseset. Nga ana tjetër, komanda psikologjike e stafit mbi lojtarët ka qenë e karakterit pozitiv, sepse grupi ka harmoni dhe stafi gjen mirëkuptim në idetë e tij.
Pikërisht ky element ka sjellë diferencën që e ka bërë Partizanin komandues të garës dhe ka zbritur në vend të dytë Skënderbeun. Natyrisht, gara është e gjatë dhe mund të ketë të papritura në javët dhe fazat e ardhshme, sidomos pas merkatos së dimrit, por në këto tetë javë të para Partizani është skuadra më bindëse dhe këtë bindshmëri ia jep mbrojtja. Pra thënia “titullin ta jep sulmi” nuk është plotësisht e vërtetë, pasi për Partizanin në Superiore vlen shprehja “mbrojtja të jep titullin”.
Dhe efikasiteti në repartin difensiv është dëshmi e qartë e këtij suksesi. Deri në fund të garës Partizanin dhe trajnerin Gega i pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por ecuria e deritanishme, qëndrueshmëria, mbrojtja e fortë dhe natyrisht harmonia në të gjithë kampin e kuq sjellin qetësi, garanci dhe besim për sukses.