Gjergj Vyshka 20.04.2015 07:05
Imitohet Bajerni në rastin e Cuculit, mjekët e kuq i kishin thënë Duros: “Është për lojë”. Te Partizani duket se ka një çështje mjekësh, ndërsa situata është e atillë si me Bajernin, atje ku pas humbjes me Porton në Ligën e Kampioneve stafi mjekësor u akuzua se nuk kishte rikuperuar në kohë lojtarët e dëmtuar. Por tek Partizani situata ndryshon, sepse nuk ka pasur dorëheqje të kryemjekut, ndërsa Guardiola mori të gjitha përgjegjësitë e humbjes.
Në klubin e kuq një çështje në lidhje me mjekët sapo është hapur dhe ka të bëjë me Cuculin. Të kuqtë e përfunduan takimin e javës së 31-të me Kukësin me 10 lojtarë, pasi mbrojtësi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në rastin e ndërhyrjes në 11-metërshin e Pejiçit. Në minutën e 50-të të takimit Cuculi u dëmtua gjatë një kontakti në dyluftimin me Lushtakun. Në ndihmë të tij shkoi stafi mjekësor dhe 27-vjeçari qëndroi disa minuta jashtë fushës për t’u futur më pas sërish në lojë.
Por në ndërhyrjen e parë që bëri shkaktoi 11-metërshin që ngriu buzëqeshjen e të kuqve. A ishte Cuculi në gjendje për të vazhduar lojën, apo duhej të zëvendësohej? Përgjigja e trajnerit Duro ka një adresim të qartë. “Unë mora informacion nga mjekët për Cuculin dhe më thanë që nuk ka problem, kështu që futbollisti mbeti në lojë”.Te Partizani ka një çështje, e ngjashme me atë të Bajernit. Ndërsa Duros ndërkohë i duhet t’i bëjë llogaritë për ndeshjen e radhës me Teutën pa Cuculin, jo vetëm të dëmtuar, por dhe të ndëshkuar me karton të kuq.