Adriatik Balla 07.06.2015 18:45
Për të kuqtë kanë përfunduar pushimet. Puna ka nisur me një tjetër ritëm, me të tjera kërkesa. Partizani ka dalë dje në stërvitje, duke filluar përgatitjet për Liga e Evropës, ku rikthehen pas 7 vitesh mungesë. Pas seancës së paradites te Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, skuadra ka zhvilluar pasditen e djeshme edhe seancën e dytë stërvitore në Kompleksin Sportiv “Internacional” në Pezë-Helmës.
Sulmuesi Stevan Raçiç dhe kapiteni Nderim Nexhipi ishin mungesat e vetme për grupin e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova dhe stafin drejtues, të justifikuara me leje të klubit. Në përfundim të seancës së sotme stërvitore ekipi iu drejtua rezidencës Hotel “Vila Park”, ku duke filluar nga dita e sotme, do të vijojë i grumbulluar përgjatë gjithë “aventurës” së tij evropiane.
Të paktën deri më 2 dhe 9 korrik, kohë kur do të luhen edhe ndeshjet e turit të parë për Ligës së Evropës, futbollistët e të kuqve kryeqytetas do të jenë në “regjim kazerme” të grumbulluar, në përgatitje për ta kaluar me sukses pengesën e parë evropiane. Sikundër dihet, më 22 qershor, në Nion të Zvicrës, do të hidhet shorti i tureve eliminatore të Ligës së Evropës dhe skuadra e Partizanit do të njihet me emrin e kundërshtarit të tij në këtë veprimtari të rëndësishme kontinentale.