Adriatik Balla 04.06.2015 13:10
Pas shtatë viteve mungesë në futbollin kontinental, Partizani synon të lërë gjurmë në turet eliminatore të Ligës së Evropës, duke kaluar të paktën një tur, objektiv që konsiderohet mëse i arritshëm nga presidenca e kuqe. Pas dorëheqjes së Shpëtim Duros, drejtimin e 15 herë “kampionëve” të Shqipërisë e mori Sulejman Starova, i cili ka nisur menjëherë nga puna për ndërtimin e një skuadre të fortë, fillimisht duke mbushur boshllëqet që krijoi largimi i Cucullit dhe Emiljano Vilës.
Në krahun e djathtë të mesfushës është piketuar Gilman Lika, një futbollist me shumë eksperiencë në futbollit shqiptar, i cili tërhiqet shumë nga ideja për të spikatur në Ligën e Evropës me Partizanin. 28-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me Vllazninë, kështu që një ofertë të mirë nga të kuqtë do ta merrte në konsideratë. Burime pranë kampit të kuq sigurojnë se marrëveshja me Likën është arritur, ndaj pritet vetëm zyrtarizimi.
Pak ditë më parë mediat sportive në vend zbuluan se Sebino Plaku është takuar me presidentit Demi, për të parë mundësinë e një bashkëpunimi, por për momentin sulmuesi 30-vjeçar nuk e ka pranuar ofertën e Partizanit për të veshur fanellën e kuqe. Me sa duket ai do të studiojë të gjitha ofertat nga ekipet e Kategorisë Superiore dhe, në fund, do të vendosë.
Përsa i përket mbrojtjes, ku në dyshim për të ardhmen pas largimit të Cuculit është edhe Amir Rrahmani, objektiv mbetet Ditmar Bici, i cili gjatë pjesës së dytë të kampionatit është stërvitur te Tirana. Dështimi i Tiranës për të luajtur në Evropë rrit shanset që transferimit të 26-vjeçarit te të kuqtë.