Adriatik Balla 12.05.2015 08:40
Edhe pse kampionati nuk është mbyllur ende dhe gara për një vend në Ligën e Evropës mbetet e hapur, Partizani duket se e ka bërë fakt të kryer këtë objektiv, duke besuar verbërisht se pozitat e skuadrës në renditje dhe forca që disponon grupi janë mjaftueshëm për të besuar në pjesëmarrjen e skuadrës së trajnerit Shpëtim Duro në këtë fazë eliminatore të Ligës së Evropës. Askush nuk mendon se Vllaznia dhe Elbasani do të bëjnë aq shumë rezistencë sa për t’i mohuar fitoren formacionit të trajnerit Shpëtim Duro, ndaj drejtuesit e Partizanit kanë nisur të mendojnë edhe për afrimet cilësore të merkatos, për një paraqitje sa më dinjitoze në Evropë.
Pak ditë më parë, në një komunikim me tifozët nëpërmjet Internet, sulmuesi serb Stefan Raçiç, premtoi se do të bënte çfarë kishte mundësi për të bindur bashkëkombësin e tij te Laçi, Cetkoviç që të vishet i kuq dhe pas fjalëve radhën e kanë veprat. Nëse Laçi nuk arrin të triumfojë në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke humbur kështu edhe mundësinë për të luajtur në Evropë, disa nga elementët më cilësorë të formacionit të Armando Cungut mund të bëhen pjesë e Partizanit. Përveç Marko Cetkoviç edhe Nigeriani Xhejms Adeniji është i preferuari i Shpëtim Duros, me trajnerin e të kuqve që simpatinë për 22-vjeçarin e ka shprehur hapur dhe gjatë merkatos së janarit.
Xhejms, është nën kontratë edhe për sezonin e ardhshëm me kurbinasit, por marrëdhëniet e mira mes presidentit Gaz Demi dhe homologut laçjan, Pashk Laska, pritet ta bëjë më të thjeshtë transferimin e sulmuesit në kryeqytet. Një tjetër përforcim nga kampi laçjan mund të jetë edhe portieri Vujadinoviç, i cili me eksperiencën e tij i dha kualifikimin Laçit në Ligën e Evropës ndaj sllovenëve të Rudarit të Velenjes. Sidoqoftë, këta emra janë thjeshtë dëshira të drejtuesve të Partizanit, që mund të bëhen realitet vetëm pas finales së Kupës së Shqipërisë. Duro e ka bërë qartë për mediat se rreth 80% e organikës që ai drejton mbetet e paprekshme.
Ndërsa elementët që do të vijnë do të studiohen mirë që zgjedhjet e bëra gjatë merkatos së verës ta shndërrojnë Partizanin në pretendentin kryesor për titull sezonin e ardhshëm. Mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të sillet skuadra e kuqe në lëvizjet e saj. Më së pari vëmendja duhet përqendruar tek dy ndeshjet e radhës, ku Partizanit i del për detyrë të marrë 6 pikë të plota për të ruajtur pozitat në klasifikim e pse jo të përforcojë vendin e vet në renditje, sepse Tirana dhe Kukësi kanë më shumë avantazhe në këtë fundkampionati. Dueli me shkodranët mund të rezultojë vendimtar, ndërsa ndeshja e fundit ndaj Elbasanit do të jetë sa për statistikë.
Kjo sepse elbasanasit kanë rënë një kategori më poshtë dhe luajnë thjesht për të mbyllur zyrtarisht garën në një edicion tërësisht të dështuar. Sa i takon takimit me Vllazninë, ajo është vendimtare dhe shkodranët nuk kalohen lehtë dhe kjo është arsyeja që skuadra e Duros duhet ta marrë seriozisht këtë ndeshje.