AlbanianSport.com 10.07.2015 12:20
ASNN – Eliminohet Partizani, norvegjezët fitojnë edhe në Tiranë. Partizani ka humbur edhe sfidën e kthimit të turit të parë eliminator të Ligës së Evropës kundër Stromsgodsetit, duke i dhënë lamtumirë veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, pasi ndeshja e së enjtes në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” përfundoi 1-0 në favor të nordikëve. Në të vërtetë, të kuqtë e trajnerit Sulejman Starova kanë dominuar nga minuta e parë deri në të fundit, por ka munguar vetëm goli.
Vetëm në pjesën e parë, Partizani ka krijuar shtatë raste, duke i detyruar miqtë të mbrohen, por kanë gabuar para portës. Mazrekaj ishte i jashtëzakonshëm në 45 minutat e parë, duke furnizuar shokët e ekipit me topa, por fati nuk ishte me të kuqtë. Rastin më të mirë në këtë pejsë e kishte Sebino Plaku që nuk shënoi i vetëm përballë portierit. Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të skuadrës shqiptare, por rastet e krijuara nuk u shfrytëzuan nga sulmuesit e Partizanit.
Me kalimin e minutave, edhe miqtë norvegjezë filluan të dalin përpara. Në minutën e 70-të, Ogunjimi doli i vetëm përballë Albano Hoxhës, por ky i fundit i ndali gjuajtjen. Kur pritej që gjyqtari Stieler të jepte shenjë për përfundimin e ndeshjes, duke përfituar nga përgjumja e mbrojtjes së të kuqve, Valsvik shënoi golin e vetëm të ndeshjes për t’i dhënë skuadrës së tij fitoren e dytë ndaj Partizanit.