Adriatik Balla 30.05.2015 11:10
I prekur emocionalisht, duke u përpjekur për të mbajtur lotët, Shpëtim Duro i dha lamtumirën Partizanit. Nuk mjaftoi që riktheu Partizanin në Evropë pas plot 7 vjetësh, e as dominimi në derbi ndaj rivalëve të përjetshëm të Tiranës. Duro largohet nga të kuqtë një vit pasi mori drejtimin për të rikthyer pas shumë kohësh skuadrën në luftën për titullin, me Partizanin që siguroi dritaren evropiane, duke e përfunduar kampionatin në vendin e tretë.
Një divorc padyshim i dhimbshëm për trajnerin 55-vjeçar. “Ky ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marrë nga ana ime pasi po largohem nga klubi im i zemrës”, – tha Duro. Divorci është finalizuar pas një bisede me presidentin e klubit, Gazmend Demi, pikërisht
dje në orët e mëngjesit. “Në orët e para të mëngjesit pata një takim me presidentin e Partizanit, Gazmend Demi që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta ku diskutuam për shumë gjëra, dhe në fund arritëm në këtë vendim”, shtoi Duro.
Pas një aventure të jashtëzakonshme me të kuqtë nuk mund të mungonte edhe falënderimi i Duros për gjithë bashkëpunëtorët e tij. Partizani do të jetë gjithmonë klubi i tij i zemrës dhe ai do të jetë një tifoz special i kësaj skuadre. “Falënderoj klubin, futbollistët dhe mbi të gjitha tifozët që më kanë mbështetur në çdo çast”,- përfundoi trajneri kryeqytetas. Përsa i përket të ardhmes së tij, Duro nuk zbuloi shumë detaje edhe pse deklaroi se ai do të jetë i hapur për të dëgjuar çdo ofertë të mundshme.