AlbanianSport.com 03.03.2017 08:45
ASNN – Duket se përplasjet midis Partizanit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit kanë arritur kulmin e tyre këto ditë, pas ndëshkimit me 4 ndeshje pa spektatorë të skuadrës së kuqe, si pasojë e sjelljes josportive të tifozerisë së kuqe në Atadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit.
Por Partizani nuk pajtohet me këtë vendim dhe pas deklaratave të forta që presidenti Gazmend Demi adresoi ndaj zyrtarëve të FSHF-së, madje duke i cilësuar edhe si “rrugeçër”, vjen një tjetër apel e këtë herë në formë kërcënimi nga klubi i Partizanit, që vë nën presion federatën.
Klubi i kuq ka apeluar vendimin dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet një komunikate të fortë ka bërë të ditur se federata nuk po sillet korrekt dhe Komisioni i Apelit në FSHF duhet të heqë dënimin e dhënë për tifozerinë e Partizanit. Në njoftimin e bërë për apelimin e dënimit, klubi i kuq kërkon që FSHF të reagojë.
Po kështu, në njoftimin klubit të Partizanit, bërë nga Gerald Burba, sekretar i përgjithshëm i të kuqve, kërkohet që organizmit që qeveris futbollin në vend të njohë faktet e paraqitura, dhe të mos marrë për bazë faktet e mbledhura mes zyrave të Kukësit dhe Federatës.