AlbanianSport.com 09.07.2015 10:20
ASNN – Ndonëse skuadra e tij e ka humbur ndeshjen e para një jave në Norvegji, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, beson se të kuqtë kryeqytetas mund ta arrijë kualifikimin ndaj Stromsgodsetit. Ndeshja e vlefshme për turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve, midis Partizanit dhe norvegjezëve, që do të luhet sonte në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:00.
Partizani ndeshet sonte me norvegjezët e Stromsgodsetit, duke synuar të përmbysë atë humbje 1-3 të pësuar në ndeshjen e para një jave në fushë të huaj. Këtë e ka theksuar në konferencën për shtyp edhe trajneri i të kuqve kryeqytetas, Sulejman Starova, i cili ka theksuar se, pavarësisht rezultatit të takimit të parë, skuadra e tij beson. Ndërsa për homologun e tij nordik, Bjërn Peter Ingebretsen, armiku më i madh duket se është i nxehti i Tiranës.
“Është e vërtetë që temperatura e lartë mund të na paraqesë probleme, por, për këtë qëllim, lojtarët e mi kanë ditë që konsumojnë sasi të mëdha uji, gjë që e kemi bërë edhe këto ditë këtu, ashtu sikundër i kemi kushtuar vëmendje ushqimit, – ka thënë Ingebretsen. – Megjithatë, ndeshja luhet në mbrëmje dhe besoj që temperatura e ajrit do të jetë e pranueshme. Kemi ardhur këtu për të mbrojtur rezultatin e ndeshjes së parë dhe synojnë kualifikimin.”