Gjergj Vyshka 10.04.2015 09:20
Kryesfida e javës së 30-të për Kategorinë Superiore do të jetë mes Skënderbeut dhe Partizanit, e cila do të luhet në Korçë ditën e hënë në ora 18:00. Përgatitjet e të kuqve kanë nisur prej ditësh, ndërsa ajo që besohet është fakti se do të ketë dhe shumë tifozeri të kuqe. Aq më tepër që janë vënë një shumicë autobusësh në dispozicion të ultrasve nga presidenca.
Në fakt Partizani, edhe duke mos qenë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, jo vetëm që i ka nisur përgatitjet më me terezi, por në ndryshim nga korçarët ka pasur kohën e duhur në dispozicion për të bërë mirë gjithçka për këtë ndeshje. Sepse ajo është vendimtare për fatet e Partizanit, i cili në harkun kohor të një muaji do të duhet të zhvillojë një “tur” force.
Kjo sepse do të luajë me disa prej skuadrave pretendente për titull “kampion”. E kjo është brenda pak javësh. Për Partizanin titulli “kampion” mungon prej 22 vjetësh, që nga koha e largët 1993. Kurse Kupa e fundit e Shqipërisë është fituar nga të kuqtë më 2004. Ndaj Partizani ka kohën për të fituar, teksa gjithçka nis nga ndeshja e vështirë në stadiumin e Korçës.
Në fazën e dytë të kampionatit në Korçë, Skënderbeu pati fituar 3-0. Por tashmë të kuqtë mendojnë krejtësisht ndryshe.