AlbanianSport.com 12.04.2016 08:55
ASNN – Tifozët e Partizanit sulmojnë trajnerin dhe lojtarët pas dështimit në Vlorë, ndërsa Agostineli ende beson tek titulli. Si mund të shpërdorohet kështu një tjetër mundësi e madhe? Në vend që të ishte vetëm 3 pikë larg kreut, Partizani e mbylli në -5 pikë nga kreu javën e 29-të të Kategorisë Superiore. Tifozët e kuq nuk u besonin syve në fund të përballjes në Vlorë.
Sado të gabojë Skënderbeu, ekipi i tyre i zemrës nuk di të përfitojë. Kështu ndodhi kur korçarët u mundën në Vlorë, dhe kur u thyen në Shkodër, kështu edhe tani kur dhuratën e radhës e bëri Kukësi. Zemërimi i tifozëve shpërtheu në rrjetet sociale me të përfunduar gjithçka në stadiumin “Flamurtari”. Nën kritika të ashpra trajneri Agostineli, por edhe futbollistët.
“Shisni këto ndeshje që ju kanë mbetur dhe bëni ndonjë lek për kompleksin”, – ishte një koment. “Turp për presidencën që mban një trajner bastexhi, turp për ju lojtarë që prishni imazhin e Partizanit”, shkruante një tjetër. Një tifoze femër, e quajtur Mira, është edhe më e ashpër. “Si nuk ju vjen turp nga ata tifozë që lënë familjet dhe ju ndjekin edhe nën shi. Ata nuk paguhen, por paguajnë, ndërsa ju i keni të gjitha kushtet”.
Agostineli, i ndërgjegjshëm për dëshpërimin e tyre, kërkon të tregohet optimist. “Është e treta herë në këtë sezon që ndëshkohemi në fund, – ka pohuar italiani i stolit t[ kuq. – Jemi shumë të mërzitur. Kundërshtari ndoshta do ta kishte merituar golin në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, nuk e kishte goditur asnjëherë portën deri në momentin që shënoi.”
“Bëmë një hap përpara, edhe pse duhej të ishin dy, – vijoi ai. – Sidoqoft[, një pikë në fushën e Flamurtarit nuk mund të quhet keq. Duhet të besojmë ende sepse Skënderbeu mund të barazojë një ndeshje në mënyrë që ne të luajmë për titullin në përballjen direkte”. Barazimi në Vlorë qetësoi edhe Skënderbeun, që pavarësisht humbjes ka diferencë të madhe me rivalin.