AlbanianSport.com 05.08.2016 17:05
ASNN – Në Nion të Zvicrës është hedhur shorti i fazës së “play-off”-it të Ligës së Evropës, ku Partizani ka mësuar kundërshtarin e radhës, që do të jetë skuadra ruse e FC Krasnodar. Ndërkohë, përballje të forta do te këtë dhe në turin e fundit eliminator të Ligës së Kampioneve. Kështu, është hedhur të premten shorti për fazat e “play-off”-it të veprimtarive më të rëndësishme evropiane.
Partizani pas eliminimit nga Salzburgu, në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve do të luajë “play-off”-it të Ligës së Evropës. Shorti i hedhur i ka vënë “demat e kuq”, përballë rusëve të FC Krasnodarit. Një duel i vështirë, por asgjë e pamundur, duke marrë parasysh paraqitjet e Partizanit në dy turet eliminatore të Ligës së Kampioneve.
Skuadra e FC Krasnodarit ka në përbërje të saj lojtarë me emër që kanë luajtur me kombëtaret përkatëse si Smolov, Jedrzejçik, Grankvist, Ari dhe Mamajev. “Demat” do të kërkojnë të arrijnë kualifikimin historik në fazën e grupeve. Ndeshja e parë do të luhet më 18 gusht dhe e kthimit me 25 gusht 2016. Ndërkohë, edhe Shkëndija e Tetovës ka mësuar kundërshtarin e saj që do të jenë belgët e Gentit.
Këta të fundit, vitin e kaluar arritën deri në turit të 16-shes të Ligës së Kampioneve. Bashakshehiri i Sokol Cikalleshit do të luajë përballë Shahtjorit të Donjeckut, Lokomotiva e Zagrebit, ku aktivizohen Çekici, Prenga dhe Grezda do të ketë përballë belgët e Genkut, ndërsa Karabagu i Ansi Agollit do te luajë përballë suedezëve të Goteborgut.